sarafinë

Si arrita tek Sarafinë. . .

Besoj se vite më parë, kur njerëzit shkruanin më pak dhe lexonin më shumë, diku nëpër facebook, mund të jeni përballur edhe me historitë e mia. Dmth ato që shkruaja vetë unë. Histori të shpërndara nëpër blog-et e të tjerëve, pasi vetë nuk ndihesha akoma gati për diçka aq të madhe sa një blog. Isha vetëm 15 vjeçe. Historitë kanë qenë pafund si: “Ti ishe i pari”, “Si s’të desha pak më shumë”, “Ajsi”, “Shpirt i shpirtit tim”. Dhe tani së fundmi, sapo kam filluar të publikoj një të re: ‘Në majë të gishtave’. Pikërisht këtu tek ‘Sarafinë‘.

Fillimisht, doja të falenderoja ato pak vajza që dikur më jepnin mundësinë të administroja faqet e tyre ose më hapnin mesazhet kur fillova të shkruaja shkrimet e mia të para dhe vendosa të lë historitë. Mi hapnin, më komplimentonin dhe më pas i publikonin ato me të drejtat e autorit “Sara Paco”. 

Dashuria është ajo që më shtyu të hap diçka timen më në fund. U shkëputa nga faqet e të tjerëve dhe vendosa të kem diçka timen, diçka tonën, timen dhe të atij. Dashurisë time të madhe që edhe sot fansat dhe njerëzit që më lexojnë e dinë mirë kush është, pa përmendur emra. Ju kujtohet blogu im i parë personal “Ersa”. Por gjërat nuk shkuan mirë. Siç e dimë të gjithë, dhimbja është shoqja më e mirë e një shkrimtari dhe vendosa ti ndryshoj emrin blog-ut. E ktheva në fjalinë që më së miri më përshtatej. Dhe ja ku vjen blogu i dytë “Nuk meritojmë të harrohemi”.

Kam shkruajtur për disa vite të mira atje dhe shkrimet më të mira i lashë atje. Më dhemb në shpirt sot që si kam më, për faj të një kompjuteri që prishet pothuajse çdo verë. Por kjo është çështje tjetër. As këtu nuk ndihesha rehat, sepse e dija fare mirë se nuk e kisha harruar atë, edhe pse ndryshova emrin e blog-ut. Kështu që mendova: “pse jo ti çosh në djall të gjitha dhe ti dedikosh diçka vetes”? E kështu bëra. E mendova fare pak zgjedhjen e emrit. Nuk doja as emrin tim personal, pasi s’më pëlqen të reklamohem tepër. Gjithmonë kam qenë vajza e padukshme e s’dua të dukem as tani.

 

sarafinë

Sarafinë!

Blog-u lindi në 20 qershor të vitit 2016. E çfarë do të thotë? Ja, ashtu më thërriste një shok që prej vitit 2010. Ka marrë emrin e maces së bardhë të Barbit tek “princesha dhe e varfra”. Ajo është Sarafinë. Dhe unë jam ajo sot. Sarafinë tashmë është një blog i pëlqyer pothuajse nga 6000 persona në Facebook dhe pothuajse 1600 në Instagram. Arriti aty ku desha. Aty hidhen vetëm shkrime reale ku njerëzit gjejnë veten, pasi unë nuk fus fantazinë në shkrime, por vetëm ngjarje personale, dhimbjen, lumturinë (ndonjëherë kur jam e tillë) dhe shpresën kur duhet.

Edhe këtu kam shkrime që i dedikohen atyre. Por të paktën jam e lumtur, sepse ky blog mban mbi supe emrin tim, emrin e asaj që shkruan, Sarës. Sara, një vajze 20 vjeçare, lindur në një qytet të vogël si Kuçova dhe rritur në Itali. Unë e di që kjo nuk do jetë kurrë puna që do më japë bukën e gojës, pasi shkrimi për mua është dhimbje dhe unë nuk dua ta kaloj jetën duke qarë e vajtuar si një poete. Më shumë se një shkrimtare, unë dua të bëhem një psikologe. Kjo është rruga ime drejt suksesit.

Por shkrimi, do të mbetet gjithmonë shpëtimi im. Nëse s’do kisha mundur 5 vite më parë të shkruaja, nuk e di ku do e kisha çuar sot gjithë atë pasion dhe dhimbje. Fal shkrimit unë çlirohesha, flisja, shkarkoja energjitë negative. Fal shkrimit, jam gjallë, sepse gjithë atë dhimbje që të fal jeta ndonjëherë, nuk e di a do isha e afte ta përballoja.

 

Kështu që, faleminderit që ekziston “Sarafinë Blog”. 
Shpresoj të rritesh e të bëhesh e madhe, ashtu siç vetëm ne të dyja e meritojmë.

Copyright: SP.

Mos humbisni asnjë nga shkrimet e Sarës. E gjeni në:

Facebook:Sarafinë.

Instagram: sarafineblog

 

ana

Ana Limani dhe pasioni i saj për të shkruarin!

Me botën e saj të bukur dhe me dëshirën për të shkruar, Ana Limani është ndryshe nga shumë moshatarë të saj. Pasioni më i madh i saj është të hedhë në letër çdo mendim, ndjenjë apo përjetim të momentit. Më shumë sesa pasion, të shkruarit për të po kthehet në profesion. Së fundmi, Ana ka nxjerrë librin e saj të parë online, të cilin mund ta gjeni në blog-un e saj ‘Life with Ana’

 

Ja se si na e tregon Ana dëshirën dhe pasionin e saj për të shkruarin:

Njerëz të mirë e të bukur që gjetët pak kohë të lexoni në këtë fillim viti.
Unë jam Ana, një 18 vjeçare që sapo ka nisur rrugëtimin e saj e rrethuar nga plot dëshira, ëndrra dhe pasione. Dhe një prej tyre vazhdon të mbetet shkrimi dhe blog-u im.

 

‘Life with Ana’ blog lindi në shkurt 2015. Në fillim ishte thjesht një mënyrë për t’u shprehur dhe për të ndarë me të tjerët gjërat që më pëlqenin. Dhe ndërsa kohët kalonin, ai mori formën që ka sot, plot me shkrime që burojnë nga thellësia e zemrës dhe mbërrijnë tek e juaja.

 

Të hapësh një blog është shumë e thjeshtë, por ta mbash gjallë dhe ta rrisësh atë kërkon përkushtim edhe kohë. Pikërisht dëshira për shkrimin dhe fotografinë e bëri më të lehtë që të kisha gjuhën e duhur për të komunikuar me ata që e lexonin dhe të përcillja emocionin e mesazhin e duhur në çdo shkrim.
Duke kombinuar rrjetet sociale me blog-un, kam arritur të krijoj atë familjen time të vogël prej lexuesish, të cilët me mendimet e tyre të sinqerta dhe mbështetjen, janë pjesa më e bukur e asaj që bëj.
Çdo gjë që ndërmerret ka një qëllim. Dhe ndonëse në fillim nuk e kisha të qartë se çfarë doja të arrija, tashmë e di se qëllimi im, pra i blog-ut tim është të jem afër me njerëzit, për ato gjëra që rrallë fliten, por shpesh ndihen. Dhe mbi të gjitha për t’i bërë ata të ndihen mirë.

 

Një ndër arritjet më të mëdha ka qenë edhe shkrimi i një libri online “Një copëz festë”.

Një copëz festë është një libër i shkurtër në formë “guide” për kohërat e festave. Çdo gjë që ju duhet duke filluar nga mënyrat e zbukurimit, ide dhuratash, filma, veshje etj. Gjithashtu midis guidës së thjeshtë ka dhe pak shkrime mbi ato çka kanë më shumë rëndësi në jetë. Por për më shumë ju ftoj ta zbuloni vetë në blog.

Për këtë vit, shumë gjëra të reja, artikuj të rinj na presin me një rikonceptim i blogut. Jo vetëm me shkrime romantike, por edhe me shkrime që kanë të bëjnë me dashurinë për veten, përmirësimin tonë apo këshilla për problemet që mund të hasim. Është koha që ta rikthejmë vëmendjen tek vetja jonë.

Dhe së fundmi, duke qenë se 2018 erdhi, cilat janë disa ndryshime që mund të bëni këtë vit?

1. Kujdesuni për veten. Filloni të ushqeheni shëndetshëm dhe të mos lini pas dore aktivitetin fizik. Të dukeni mirë do t’ju bëjë edhe të ndiheni mirë.
2. Kushtojini më shumë vëmendje njerëzve tuaj të dashur.
3. Njihni njerëz të rinj. Çdo njeri ka diçka për t’ju ofruar dhe mësuar.
4. Hiqni dorë nga ato “zakonet e këqija”, duhani, alkoli etj. Ose të paktën përpiquni t’i pakësoni.
5. Zhvendoseni fokusin në jetën reale dhe shkëputuni sado pak nga rrjetet sociale.
6. Kapni çdo mundësi që ju jepet dhe realizoni çdo dëshirë që keni.

 

Dhe ndërkohë, unë ju uroj një vit sa më të lumtur!
Shumë dashuri,
Ana.

 

Mos i humbisni shkrimet e Anës në blogun e saj: Life with Ana
Ndiqeni edhe në Instagram: ana_limani