Pesë këshilla të thjeshta mbi të lexuarit nga Rea

“Një tufë rrezesh nëpër RE”

Unë jam Rea ose edhe më shkurt RE. Para dy vitesh zgjodha të studioj mbi botën financiare dhe atë bankare, duke ënderruar se me shumë vullnet, studim dhe përpjekje do arrija të realizoja objektivat për një karrierë të suksesshme.

 

Në mendjen time e kam vendosur prej kohësh tanimë, pas përfundimit të studimeve, të cilat dëshiroj t’i zgjeroj edhe më tej, tetë orë në ditë do i shpenzoj duke u endur mes numrash, bilancesh e kredive bankare, por gjashtëmbëdhjetë të tjerat do vallëzoj mes shkronjash, librash e letërsisë.

 

Prej dashurisë time për librin, përkushtimin në të lexuarin qysh prej vegjelisë së hershme dhe dëshirës që pasioni im të shërbejë si frymëzim për bashkëmoshatarët e mi dhe të kthehet në një urë lidhëse për t’i afruar ata me librin, ndërmora para pak muajsh hapin e rëndësishëm të krijimit të blogut tim ”Një tufë rrezesh nëpër RE”.

 

Blogu ka karakter letrar dhe shërben në promovimin e librave, letërsisë, të lexuarit dhe krijimtarisë sime artistike.

Fillimisht dëshiroj të rrefej pak rreth kuptimit të titullit ”Një tufë rrezesh nëpër RE”. Në pamje të parë shumica e njerëzve nuk entuziasmohen kur shohin retë të pushtojnë qiellin (të paktën ata që dashurojnë ngrohtësinë dhe diellin). Jeta, përditshmëria, veset njerëzore, historitë dhe përjetimet mbështillen shpesh prej resh të zymta dhe ne të gjithë jemi pajtuar me këtë realitet. Por letërsia dhe arti i të shkruarit duhet të jenë ‘Kepi i Shpresës së Mirë’! Aty ku secili gjen paqe, ngrohtësi, frymëzim dhe shplodhje. Çdo shkrim në blog realizohet me shumë përkushtim. Qëllimi i vetëm i të cilave është të sjellin në tufë me rreze në monotoninë që shpesh na kaplon.

 

Një blog letrar si ”Një tufë rrezesh nëpër RE” synon të rikthejë letërsinë dhe të lexuarit në vëmendje të të rinjëve, të cilët duket se e kanë braktisur masivisht librin. Të shkëputësh marrëdhënien me librin do të thotë të refuzosh nga jeta jote miqësinë e një miku besnik, një këshilluesi, i cili nuk do të braktisi kurrë. Dashuria për librin mbillet në shpirtin njerëzor. Detyra për këtë i takon familjarëve dhe edukatorëve kur vogëlushi jeton ende mes përrallave dhe ëndërrimeve të fëmijërisë. Me vitet që kalojnë ai fidan kthehet në një pemë të fortë, të bukur, plot lule shumëngjyrëshe, gjelbërim dhe fruta, të cilat të shërbejnë përgjatë gjithë jetës.

 

Dëshira ime më e madhe është që lexuesit e mi të përqafojnë letërsinë duke u frymëzuar nga shkrimet dhe artikujt që lexojnë nga krijimtaria ime. Ajo çka unë sugjeroj çdo javë është një letërsi klasike. E pavdekshme, përcjell vlera, kulturë dhe të bën të apasionohesh pas saj.

Blogu është ndërtuar mbi tre rubrika kryesore:

Së pari, ‘’Nëpër re’’, ku unë si mes resh ndaj me lexuesit e mi pjesëza shpirti. Krijimtarinë time letrare e cila lidhet tërësisht me ndjenjat njerëzore dhe realitetin e problemet e dhimbshme shoqërore. Këto paraqiten në një reflektim të ndërthurur me natyrën e cila ndjen, përjeton dhe reagon për çdo emocion njerëzor.

 

Së dyti, rubrika ‘’Aromë librash’’ i dedikohet tërësisht artikujve mbi letërsinë, librave të zgjedhur, leximit dhe kohës që secili prej nesh i kushton të lexuarit.

 

Së treti, rubrika ‘’Klubi i Librit #rrëmbelibrin’’ është më e vecanta dhe një nga më të dashurat për lexuesit. Në Klubin e Librit lexojmë së bashku, diskutojmë dhe ndërtojmë miqësi të reja, përveçse ushqejmë shpirtin me letërsi të mirë dhe plot vlerë.

Dëshiroj që me lexuesit e Hinka.al dhe lexuesit e mi të ndaj pesë këshilla të thjeshta mbi të lexuarit.

1) Të mos gjesh kohë për t’u zhytur në një libër cdo ditë është thjesht një justifikim. Mirëorganizoje ditën. Mos e lejo veten të rrëzohesh në grackën e rrjeteve sociale, të cilat na e vjedhin kohën pa e kuptuar.

2) Të lexuarit të pasuron fjalorin dhe një artikulim i mire nuk të lë kurrë në baltë.

3) Duke lexuar nuk harron të shkruash gjuhën tonë pa gabime drejtshkrimore dhe sintaksore. Mos harro, një njeri i cili bën shpesh gabime drejtshkrimore ka gjasa të mos merret shumë seriozisht.

4) Nëse të mungon motivimi për të rrëmbyer një libër bashkohu me Klubin e Librit #rrembelibrin. Superfuqia jonë është të frymëzojmë të tjerët, po e jotja?

5) Kultura e të lexuarit te të rinjtë është zbehur. Por me kalimin e kohës dikush që nuk i ndan librat nga duart, mëson të mos dijë të jetojë pa to! Ktheje librin në një domosdoshmëri për ty, në ushqim për shpirtin dhe stërvitje për mendjen.

 

Në përfundim, ju ftoj të gjithëve në ‘’Një tufë rrezesh nëpër RE’’! Aty ku do të gjeni gjithçka mbi letërsinë dhe librat, dhe mbi të gjitha do gjeni miq besnik.

Mos harroni, asnjë RE nuk është aq e zymtë sa rrezet të mos mundin të depertojnë…

Për më shumë informacion rreth blog-ut, më ndiqni në Instagram: reasdailydiary