këngëtare

Raffie Raff, një këngëtare shqiptare në Greqi!

Rafaela Haxhi ose siç njihet ndryshe me emrin e artit Raffie Raff, tashmë është një këngëtare në shtetin fqinj, Greqi.

Raffie Raff është një vajzë nga qyteti i Sarandës. Në moshën 8 vjeçare ka emigruar së bashku me familjen e saj në shtetin helen. Si u bë kënga pasioni i saj më i madh, rruga që ndoqi në jetë dhe përvojat që kaloi për të patur sukses, do t’i lexoni në rrëfimin e saj nostalgjik.

 

Pasioni im dhe studimet e mia nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Dega inxhinieri informatike është diçka që vendosa të merresha kur u rrita. Por kënga është pjesë e pandarë e jetës sime që kur unë mbaj mend ekzistencën time. Kam shumë kujtime të bukura nga vitet e fëmijërisë që kalova në Shqipëri. Në të gjitha pjesë bën kënga. Këndoja kudo dhe kurdo duke dashur gjithmonë të tërheq gjithnjë vëmendje. Dhe jo vetëm duke kënduar, por edhe duke i bërë njerëzit e mi të dashur gjithnjë për të qeshur me veprimet e mia prej çapkëneje.

 

Mbaj mend babanë tim i cili na inçizonte mua, motrën dhe vëllain tim duke kënduar dhe duke recituar. Besoj se aty ka filluar të bëhet më e fortë dëshira për të kënduar. Kam qenë e vogël kur familja ime vendosi të emigrojë në Greqi dhe mu desh një kohë e gjatë që të filloja të përshtatesha dhe të merresha sërish me këngën. Pasi vitet kalonin dhe tashmë gjuhën greke e kisha mësuar shumë mirë, fillova të këndoja në festat e ndryshme që organizonte shkolla.

Kur mbusha 18 vjeç përjetova përvojën e parë të inçizimit në një shtëpi diskografike.

Që nga ai moment mikrofoni ka qenë pjesë e pandarë e jetës time. Dhe një përvojë sillte një tjetër dhe kështu me rradhë. Pas përfundimit të studimeve, nisa të këndoja në skena të ndryshme live në Athinë. Skena është vendi ku unë ndjehem vetvetja dhe njeriu më i lumtur në botë. E di shumë mirë që të merresh me muzikë nuk është aspak e lehtë, por pasioni dhe dëshira e madhe që kam për këngën, më japin gjithmonë shpresë dhe ma bëjnë jetën më të bukur.

 

Raffie Raff në qershor të 2017 është bërë pjesë e këngës ‘No Puedo’ në bashkëpunim me Tosin Martyns. Një këngë shumë ritmike dhe verore me muzikë të producentit Rocfellaz (Sotiris Lepetzidis).

E gjeni në youtube:
Rocfellaz & Goodfella feat. Raffie Raff & Tosin Martyns – No Puedo – Official Music Video

 

Tashmë, Raffie Raff pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi diskografike, duke inçizuar demo dhe duke shkruajtur këngë të ndryshme. Stili që i pëlqen më shumë është muzika RNB, por e dashuron shumë dhe muzikën JAZZ, POP dhe RAP. Është duke përgatitur disa projekte për të ardhmen, të cilat nuk do vonojnë ti paraqesë për publikun.

 

Siç do ta kuptoni edhe vetë, ajo punon në tre gjuhë të ndryshme shqip, greqisht dhe anglisht. Madje duke e pyetur se në cilën gjuhë i pëlqen më shumë të këndojë, thotë pa u menduar fare që i pëlqen në gjuhën shqipe. Gjuhën e vendit ku ka lindur dhe ka mall e nostalgji.

 

Raffie Raff veçon jo vetëm për stilin e saj të kënduarit, por edhe në të veshur. Është një personalitet të cilin nuk do e harroni lehtë. Ashtu siç të bën për vete me çiltërsinë dhe humorin e saj, të tërheq edhe më shumë serioziteti dhe përkushtimi i saj për muzikën. Mezi presim të dëgjojmë projektet e reja nga kjo këngëtare kaq e veçantë dhe stafi i hinka.al i uron suksese të mëtejshme.

Iva Dhami

sarafinë

Si arrita tek Sarafinë. . .

Besoj se vite më parë, kur njerëzit shkruanin më pak dhe lexonin më shumë, diku nëpër facebook, mund të jeni përballur edhe me historitë e mia. Dmth ato që shkruaja vetë unë. Histori të shpërndara nëpër blog-et e të tjerëve, pasi vetë nuk ndihesha akoma gati për diçka aq të madhe sa një blog. Isha vetëm 15 vjeçe. Historitë kanë qenë pafund si: “Ti ishe i pari”, “Si s’të desha pak më shumë”, “Ajsi”, “Shpirt i shpirtit tim”. Dhe tani së fundmi, sapo kam filluar të publikoj një të re: ‘Në majë të gishtave’. Pikërisht këtu tek ‘Sarafinë‘.

Fillimisht, doja të falenderoja ato pak vajza që dikur më jepnin mundësinë të administroja faqet e tyre ose më hapnin mesazhet kur fillova të shkruaja shkrimet e mia të para dhe vendosa të lë historitë. Mi hapnin, më komplimentonin dhe më pas i publikonin ato me të drejtat e autorit “Sara Paco”. 

Dashuria është ajo që më shtyu të hap diçka timen më në fund. U shkëputa nga faqet e të tjerëve dhe vendosa të kem diçka timen, diçka tonën, timen dhe të atij. Dashurisë time të madhe që edhe sot fansat dhe njerëzit që më lexojnë e dinë mirë kush është, pa përmendur emra. Ju kujtohet blogu im i parë personal “Ersa”. Por gjërat nuk shkuan mirë. Siç e dimë të gjithë, dhimbja është shoqja më e mirë e një shkrimtari dhe vendosa ti ndryshoj emrin blog-ut. E ktheva në fjalinë që më së miri më përshtatej. Dhe ja ku vjen blogu i dytë “Nuk meritojmë të harrohemi”.

Kam shkruajtur për disa vite të mira atje dhe shkrimet më të mira i lashë atje. Më dhemb në shpirt sot që si kam më, për faj të një kompjuteri që prishet pothuajse çdo verë. Por kjo është çështje tjetër. As këtu nuk ndihesha rehat, sepse e dija fare mirë se nuk e kisha harruar atë, edhe pse ndryshova emrin e blog-ut. Kështu që mendova: “pse jo ti çosh në djall të gjitha dhe ti dedikosh diçka vetes”? E kështu bëra. E mendova fare pak zgjedhjen e emrit. Nuk doja as emrin tim personal, pasi s’më pëlqen të reklamohem tepër. Gjithmonë kam qenë vajza e padukshme e s’dua të dukem as tani.

 

sarafinë

Sarafinë!

Blog-u lindi në 20 qershor të vitit 2016. E çfarë do të thotë? Ja, ashtu më thërriste një shok që prej vitit 2010. Ka marrë emrin e maces së bardhë të Barbit tek “princesha dhe e varfra”. Ajo është Sarafinë. Dhe unë jam ajo sot. Sarafinë tashmë është një blog i pëlqyer pothuajse nga 6000 persona në Facebook dhe pothuajse 1600 në Instagram. Arriti aty ku desha. Aty hidhen vetëm shkrime reale ku njerëzit gjejnë veten, pasi unë nuk fus fantazinë në shkrime, por vetëm ngjarje personale, dhimbjen, lumturinë (ndonjëherë kur jam e tillë) dhe shpresën kur duhet.

Edhe këtu kam shkrime që i dedikohen atyre. Por të paktën jam e lumtur, sepse ky blog mban mbi supe emrin tim, emrin e asaj që shkruan, Sarës. Sara, një vajze 20 vjeçare, lindur në një qytet të vogël si Kuçova dhe rritur në Itali. Unë e di që kjo nuk do jetë kurrë puna që do më japë bukën e gojës, pasi shkrimi për mua është dhimbje dhe unë nuk dua ta kaloj jetën duke qarë e vajtuar si një poete. Më shumë se një shkrimtare, unë dua të bëhem një psikologe. Kjo është rruga ime drejt suksesit.

Por shkrimi, do të mbetet gjithmonë shpëtimi im. Nëse s’do kisha mundur 5 vite më parë të shkruaja, nuk e di ku do e kisha çuar sot gjithë atë pasion dhe dhimbje. Fal shkrimit unë çlirohesha, flisja, shkarkoja energjitë negative. Fal shkrimit, jam gjallë, sepse gjithë atë dhimbje që të fal jeta ndonjëherë, nuk e di a do isha e afte ta përballoja.

 

Kështu që, faleminderit që ekziston “Sarafinë Blog”. 
Shpresoj të rritesh e të bëhesh e madhe, ashtu siç vetëm ne të dyja e meritojmë.

Copyright: SP.

Mos humbisni asnjë nga shkrimet e Sarës. E gjeni në:

Facebook:Sarafinë.

Instagram: sarafineblog

 

ana

Ana Limani dhe pasioni i saj për të shkruarin!

Me botën e saj të bukur dhe me dëshirën për të shkruar, Ana Limani është ndryshe nga shumë moshatarë të saj. Pasioni më i madh i saj është të hedhë në letër çdo mendim, ndjenjë apo përjetim të momentit. Më shumë sesa pasion, të shkruarit për të po kthehet në profesion. Së fundmi, Ana ka nxjerrë librin e saj të parë online, të cilin mund ta gjeni në blog-un e saj ‘Life with Ana’

 

Ja se si na e tregon Ana dëshirën dhe pasionin e saj për të shkruarin:

Njerëz të mirë e të bukur që gjetët pak kohë të lexoni në këtë fillim viti.
Unë jam Ana, një 18 vjeçare që sapo ka nisur rrugëtimin e saj e rrethuar nga plot dëshira, ëndrra dhe pasione. Dhe një prej tyre vazhdon të mbetet shkrimi dhe blog-u im.

 

‘Life with Ana’ blog lindi në shkurt 2015. Në fillim ishte thjesht një mënyrë për t’u shprehur dhe për të ndarë me të tjerët gjërat që më pëlqenin. Dhe ndërsa kohët kalonin, ai mori formën që ka sot, plot me shkrime që burojnë nga thellësia e zemrës dhe mbërrijnë tek e juaja.

 

Të hapësh një blog është shumë e thjeshtë, por ta mbash gjallë dhe ta rrisësh atë kërkon përkushtim edhe kohë. Pikërisht dëshira për shkrimin dhe fotografinë e bëri më të lehtë që të kisha gjuhën e duhur për të komunikuar me ata që e lexonin dhe të përcillja emocionin e mesazhin e duhur në çdo shkrim.
Duke kombinuar rrjetet sociale me blog-un, kam arritur të krijoj atë familjen time të vogël prej lexuesish, të cilët me mendimet e tyre të sinqerta dhe mbështetjen, janë pjesa më e bukur e asaj që bëj.
Çdo gjë që ndërmerret ka një qëllim. Dhe ndonëse në fillim nuk e kisha të qartë se çfarë doja të arrija, tashmë e di se qëllimi im, pra i blog-ut tim është të jem afër me njerëzit, për ato gjëra që rrallë fliten, por shpesh ndihen. Dhe mbi të gjitha për t’i bërë ata të ndihen mirë.

 

Një ndër arritjet më të mëdha ka qenë edhe shkrimi i një libri online “Një copëz festë”.

Një copëz festë është një libër i shkurtër në formë “guide” për kohërat e festave. Çdo gjë që ju duhet duke filluar nga mënyrat e zbukurimit, ide dhuratash, filma, veshje etj. Gjithashtu midis guidës së thjeshtë ka dhe pak shkrime mbi ato çka kanë më shumë rëndësi në jetë. Por për më shumë ju ftoj ta zbuloni vetë në blog.

Për këtë vit, shumë gjëra të reja, artikuj të rinj na presin me një rikonceptim i blogut. Jo vetëm me shkrime romantike, por edhe me shkrime që kanë të bëjnë me dashurinë për veten, përmirësimin tonë apo këshilla për problemet që mund të hasim. Është koha që ta rikthejmë vëmendjen tek vetja jonë.

Dhe së fundmi, duke qenë se 2018 erdhi, cilat janë disa ndryshime që mund të bëni këtë vit?

1. Kujdesuni për veten. Filloni të ushqeheni shëndetshëm dhe të mos lini pas dore aktivitetin fizik. Të dukeni mirë do t’ju bëjë edhe të ndiheni mirë.
2. Kushtojini më shumë vëmendje njerëzve tuaj të dashur.
3. Njihni njerëz të rinj. Çdo njeri ka diçka për t’ju ofruar dhe mësuar.
4. Hiqni dorë nga ato “zakonet e këqija”, duhani, alkoli etj. Ose të paktën përpiquni t’i pakësoni.
5. Zhvendoseni fokusin në jetën reale dhe shkëputuni sado pak nga rrjetet sociale.
6. Kapni çdo mundësi që ju jepet dhe realizoni çdo dëshirë që keni.

 

Dhe ndërkohë, unë ju uroj një vit sa më të lumtur!
Shumë dashuri,
Ana.

 

Mos i humbisni shkrimet e Anës në blogun e saj: Life with Ana
Ndiqeni edhe në Instagram: ana_limani

Ambra

Një vajzë ndryshe. Çfarë mund të ‘vjedhim’ nga Ambra!

Ambra është një vajzë aq e lezetshme dhe besoj se të gjithë ju që e njihni jeni dakord me mua. Madje nëse akoma nuk e keni njohur deri më tani, do më jepni të drejtë pasi të lexoni artikullin e saj. Përveç thjeshtësisë që e karakterizon, ajo ka dhe një talent mjaft interesant. Është pikërisht vullneti dhe frymëzimi i saj për të krijuar dhe realizuar vetë gjërat praktike që mund ti duhen apo siç e njohim tashmë DIY.

Ja se çfarë mund të ‘vjedhim’ nga Ambra!

“Përshëndetje ndjekës të “Hinka”. Sot është e dielë dhe ditë pushimi për shumicën e njerëzve (por jo për mua). Disa kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi, ngrohtë dhe rrethuar me “aromën” e festave që po afrojnë. Disa të tjerë po mendojnë për dhuratat që do marrin dhe japin. Sot do ju vij pak në ndihmë të gjithë atyre që kanë dëshirë të bëjnë gjëra të bukura në kushte shtëpie. DIY is funny and amazing.

 

Unë jam Ambra Feratozi. Studioj për Shkenca juridike. Dega ime nuk ka lidhje fare me pasionet dhe “dashuritë” e mia të shumta që më mbushin kohën e lirë. Një ndër gjërat që shijoj më shumë është të bërit “little things”, gjëra të vogla të personalizuara ose jo, por me vlerë të madhe për të gjithë njerëzit e zemrës. Është e gjitha dëshirë, vullnet dhe pasion, me gjithë dashurinë e mundshme.

Babi im ishte njeriu që më realizonte çdo gjë që doja. Ai ishte dhe është inspirimi im.

Nga ai nisi dëshira që unë kam sot për të bërë gjëra të veçanta,  të vazhdoj të gjej kohën dhe frymëzimin që më nevojitet. Të gjitha të bëra me dorë… gazeta, letra, dru, tapa shishesh ose kanaçesh, etj. Koleksiononim gjithashtu. Krijonim shumë gjëra të bukura, bënim dhurata për njëri-tjetrin për festa të ndryshme, maska me personazhin e caktuar (kur bëja dramatizimet në fillore) dhe pafundësisht gjëra praktike që i përdornim në jetën tonë të përditshme. 

Për ju zgjodha 3 ide interesante për t’ju futur punës këtë fundvit dhe ti surprizoni njerëzit e dashur.

 

Ideja e parë -> Një ditar tipik princeshe.

Kjo është gjëja më e thjeshtë dhe më e bukur që kam bërë në jetën time. Mu deshën vetëm një copë pellushi të vjetër që nuk e përdor më, një ditar me një cover shumë të thjeshtë, ngjitëse dhe një sticker kurore. Fotot më poshtë tregojnë pak a shumë hapat e punës. Ju sugjeroj të provoni ta realizoni vetë  dhe do argëtoheni shumë.

 

Ideja dytë -> Një kornizë unike.

Kornizat janë unike në të gjitha llojet e mundshme. Por korniza jonë është shumë ndryshe, pasi realizohet me detajin që të gjithë ne e kemi në shtëpinë tonë. Pikërisht disqet e vjetra. Për realizimin e saj, përveç disqeve, duhen fletë kartoni (ngjyra sipas dëshirës), gërshërë, ngjitëse. Priten disqet në forma afërsisht trekëndore për ta pasur më të lehtë punën gjatë vendosjes. Në fletën e kartonin krijojmë formën e një kornize mesatare. E presim. Fillojmë të ngjisim disqet e prera në të gjithë hapësirën. Dhe në fund zgjedhim një foto të preferuar të personit që do ja dhuroni këtë fundvit. Diy më interesante që keni parë besoj??? Cool!

 

Ideja e tretë -> Kavanozi “Snow Santa Klaus”

Mamatë tona janë aq të mira sa nuk lënë gjë pa ruajtur në shtëpi. Sa kavanoza bosh kemi në kuzhinë?? Unë i zbukuroj shumë dhe mbaj gjithmonë disa lule të freskëta.
Por këtë herë mendova diçka ndryshe. Na duhen disa letra shkëlqyese, që do t’i presim aq të vockla si pika shiu, pak shkumë deti të copëtuar për efekt dëbore, një lodër të vogël Santa Klaus, ujë dhe ngjitëse. Në kapakun e kavanozit ngjisim Snow Santa Klausin e bardhë dhe e lëmë të thahet gjatë, në mënyrë që të mos prishet nga uji. Pasi e mbushim me ujë, hedhim brenda letrat dhe “shkumën e detit”. Pa e mbyllur kavanozin, rreth e qark i shtojmë detajin e pemës dhe një varg minimal gold, për të mbuluar pjesën e mbylljes së kavanozit. Më pas e mbyllim dhe e tundim. Ja ku është, diçka e lezetshme për një ambient kuzhine.

 

 

 

Këtë mini kavanoz “Snow Santa Klaus” mund t’ia dhuroni nënave ose gjysheve. Ato do e adhurojnë dhe do të hipnotizohen nga “mini-magjia” e të rënit dëborë dhe plot “glitter” mbi babagjyshin e vitit të ri.

A nuk ju thashë që DIY ishte funny dhe fantastik??? Shpresoj t’iu kem ardhur sadopak në ndihmë.

Gjithashtu doja t’iu sugjeroja aplikacion-et e mia të preferuara që i ndjek prej vitesh ‘Pinterest’ dhe ‘Tumblr’. Shkarkojini, hidhini një sy dhe përvishjuni punës.
U kënaqa shumë me këtë artikull.
Ju uroj një të dielë të bukur dhe frymëzuese për gjëra të bukura.
Me shumë dashuri, Amblusi.
Hugs.

 

Me shumë mundësi edhe ju po mendoni ti provoni njëherë vetë në shtëpi sugjerimet që na dha Ambra. Nëse jeni të interesuar për krijimet e saj, mund ta gjeni atë në Instagram

 

 

rea

“Rea’s blog”. Frymëzohuni nga Rea dhe pasioni i saj për modën

Rea është gjimnazistja frymëzuese që na tregon se si në moshë mjaft të re, me pasionin dhe vullnetin e saj, ja doli të ketë një account në Youtube dhe ndan me ndjekësit e shumtë stilin dhe karakterin e saj unik.

 

Padyshim, ky artikull do jetë frymëzues për të gjitha vajzat e moshës së Reas.

Nëse je në një qytet të madh, me turma njerëzish, do më vësh re lehtë, ndoshta sepse kalendari im i modës do të jetë tek vitet ‘90. Unë jam Rea Ahmetbeja, akoma një gjimnaziste që po krijon ditarin e modës së vet. Kopertina e ditarit tim të modës nis me dashurinë e madhe që çdo vajzë duhet të ketë për veten e saj. Të biesh në dashuri çdo herë që i vesh një palë xhinse, të biesh vërtet në dashuri me to si herën e parë që i bleve.

Më ndodh shpesh kur jam në dhomën e provës duke provuar një fustan të mrekullueshëm dhe e ndjej që ai është i duhuri për mua, nis të këndoj… Këndoj vërtet ndonjë strofë të vogël kënge. Kjo është siç thuhet ‘dashuri e vërtetë’! Ose kur të janë fiksuar një palë këpucë tek ZARA dhe të thonë: – numri 38 nuk gjendet. Këtë mund ta quaj me gjithë kuptimin e fjalës ‘zhgënjim total’.

Mbaj mend që kur isha në klasë të shtatë, mami më bleu një palë xhinse. Dhe rastësisht shoqja ime kishte të njëjtat. Më kujtohet se sa kam qarë atë natë. Akoma më shumë kur mami më bërtiti sepse unë kisha bërë një të pabërë. I kisha hedhur xhinseve të reja ACE. Por nuk mund të them dot që ishte një dështim, sepse të gjithë më pyetën se ku i kisha blerë dhe të gjitha vajzat i donin ato.

Sot zgjohem si një vajzë që e ka krijuar vetë stilin e saj. Moda gjithmonë më ka diktuar mënyrën se si ta shoh jetën. Gjithashtu më ka ndihmuar të ndryshoj gjendjen shpirtërore. Mund të kaloj një ditë të mërzitshme, por këpucët e duhura mund ta ndryshojnë këtë. Dhe kjo është vërtet magjike.

Ishte data 10 Janar 2017 pikërisht kur lindi Rea’s blog.

Unë e hapa kanalin tim në youtube duke hedhur videon ‘Si të vishemi në shkollë’. Më kujtohet që gjatë ditëve të ftohta të janarit nuk ishte njeri me mua për të xhiruar dhe kam marrë përsipër të beja videon në pasqyrën e dhomës time. E postova pikërisht atë ditë, isha shumë e lumtur që ëndrra ime po bëhej realitet. Jam e sigurt që 100 views mund ti kem bërë vetëm unë duke klikuar ‘replay’. Por sot është akoma më emocionuese që videoja ime e parë ka më shumë klikime, rreth 20k . Jam me të vërtetë e lumtur për gjithçka që kam arritur falë dëshirës time të madhe.

 

Unë e dua Rea’s blog-un, përpiqem që të bëj më të mirën për videon e radhës. Gjithçka është e mirë kur ne i duam gjërat që bëjmë.

Rea na jep disa këshilla të lezetshme plot frymëzim:

  1. Duhet ta keni vetë në dorë stilin tuaj. Vishuni për veten, jo për të dashurin, miqtë apo prindërit.
  2. Besimi në vetvete është më joshës se çdo gjë që mund të vishni.
  3. Luani sa më shumë me ngjyrat.
  4. Eksperimento dhe guxo në modë.
  5. Duhet të jeni krijues në gjithçka, moda është formulë të cilën e krijon ti.
  6. Vendos gjithmonë aksesorë, qoftë edhe të thjeshtë.
  7. Zgjidh veshjen që përputhet me natyrën tënde.
  8. Kur të dalësh nga shtëpia duhet të krenohesh e të thuash: ‘E marrtë dreqi, sa bukur dukem!’

Për më tepër ndiqni Rean në:

Youtube – “Rea’s blog” https://www.youtube.com/channel/UC-MlOXqNitKN8ZYHglBtHTw

Instagram – reas_blog

inspiruar nga elle

Inspiruar nga Elle! Ndiqni pasionin tuaj! Këshilla interesante.

Inspiruar nga Elle!

Elena është një ndër vajzat më cute që mund të këni parë deri më tani. Përveçse ka një stil për tu admiruar (si një vajzë e lezetshme franceze), ka edhe një botë të pasur e plot pasione. Ajo ka ndarë me ne sesi arriti të ushtrojë profesion-pasionin e saj si fotografe, edhe pse ka mbaruar studimet për Drejtësi. Lexojeni dhe do të ndiheni mjaft të inspiruar nga Elle.

 

Jemi në atë periudhë të vitit që teksa shkruaj në laptop, gishtat më bëhen akull. Mirëseerdhe dimër 🙁

Një vajzë 21 vjeçare, nga qyteti i një mbi një dritareve, me një mendje të drejtë dhe një shpirt artistik. Pikërisht kështu do ta nis prezantimin tim.

Si vajza e madhe e prindërve të mi, kisha fatin që të gjitha dëshirat e moshës të më plotësoheshin pa një pa dy. Një tekanjoze e vogël, që vishej gjithmonë bukur, me flokë të zeza, buzë të kuqe e sy të mëdhenj. Kështu e mbaj mend veten.

Prindërit kujdeseshin gjithmonë që të merrja njohuri të reja, të eksperimentoja me veten dhe të mësoja ta njihja më mirë atë. Kështu më regjistronin nëpër kurse të ndryshme arti e si për çudi isha e vetmja që mund ti bëja të gjitha.

 

Çdo gjë që kishte të bënte me artin e lidhja me veten time.

Po ashtu, u rrita me frymën e babit që më thërriste “Avokatja e babit”. Duke pasur gjithmonë shtysën e tij dhe një dëshirë të pakuptueshme timen, të ngulitur në kokën time të vogël për tu bërë Avokate, arrita të përmbush këtë dëshirë.

Por ndërkohë që vazhdoja studimet e mia për Drejtësi, nisa të mendoja se mund të mos ishte zgjedhja e duhur. Kuptova se marrëdhënia ime me artin, fotografinë & design-in, ishte më speciale sesa ajo me degën që unë vazhdoja (por asnjëherë nuk i lashë pas dore studimet).

Gjatë kësaj periudhe, fillova të eksperimentoja me pasionin tim. Po kuptoja që sa më shumë i dedikohesha, aq më shumë më tërhiqte. Për fat të mirë ndoqa edhe disa kurse elementare rreth fotografisë & design-it dhe pata fatin që fill pas kursit të filloja edhe punë si graphic designer në një kompani të vogël.

 

Këtu ishte edhe fillimi im në këtë fushë.

Me kursimet e punës arrita edhe të blija një aparat fotografik profesional për fillestarë dhe aty nisi gjithçka. Shpirti im artistik lulëzoi. Pas disa eksperiencave në këtë fushë si në studio fotografike, freelancer, etj. kuptova që kjo ishte zgjidhja e duhur. Isha e bërë për të krijuar gjëra të bukura.

Bachelori në Drejtësi iku sa hap e mbyll sytë (më në fund). Kështu unë kisha më shumë kohë të lirë për të ushtruar pasionin tim dhe për të krijuar sa më shumë gjëra të veçanta. Dhe ja ku jam. Duke punuar në një studio fotografike, duke fotografuar bebushat e vegjël. Dhe ç’është më e rëndësishmja, duke ushtruar “profesion-pasionin” që unë dua.

 

Për më tepër, në artikullin ‘Inspiruar nga Elle’, Elena na jep disa këshilla si mund të pozojmë për të dalë sa më bukur në foto.

  • Mësoni të buzëqeshni në foto në një mënyrë sa më natyrale, pa turp ose e sforcuar. Ashtu si qeshni kur kamera nuk është fokusuar tek ju.
  • Mbajtja e qëndrimit drejtë në një foto është thelbësore. Jo vetëm ju tregon më elegante, por edhe disa cm më të gjatë (për ne që vuajmë për pak gjatësi).
  • Nëse dëshironi të bëni një foto ku të fotografoni gjithë trupin tuaj, atëherë kryqëzoni këmbët tuaja. Në këtë mënyrë që të duken më të gjata,  plus që do të merrni një pamje më casual.
  • Nëse jeni duke bërë foto në grup me miqtë tuaj, atëherë “mos ndiqni grupin”. Pra merr një pozë ndryshe nga miqtë e t’u në mënyrë që të bini në sy të gjithë.
  •  Jini vetvetja sa herë që dëshironi të bëni një foto dhe mos u sforconi për të bërë një pozë apo një tjetër, në mënyrë që fotoja të dali sa më natyrale dhe cool.

Në galerinë e mëposhtme do të gjeni disa nga punët e preferuara të Elle. Të punojë me fëmijët dhe fushat ‘foto minimaliste’ në det. Nëse jeni inspiruar nga Elle mund ta gjeni në Instagram: Elena Dauti dhe mund ta kontaktoni në e-mail: helenadauti@gmail.com

 

inspiruar nga elle inspiruar nga elle inspiruar nga elle inspiruar nga elleinspiruar nga elle inspiruar nga elle inspiruar nga elle inspiruar nga elle

https://hinka.al/pasioni-per-fotografine/