ana

Ana Limani dhe pasioni i saj për të shkruarin!

Me botën e saj të bukur dhe me dëshirën për të shkruar, Ana Limani është ndryshe nga shumë moshatarë të saj. Pasioni më i madh i saj është të hedhë në letër çdo mendim, ndjenjë apo përjetim të momentit. Më shumë sesa pasion, të shkruarit për të po kthehet në profesion. Së fundmi, Ana ka nxjerrë librin e saj të parë online, të cilin mund ta gjeni në blog-un e saj ‘Life with Ana’

 

Ja se si na e tregon Ana dëshirën dhe pasionin e saj për të shkruarin:

Njerëz të mirë e të bukur që gjetët pak kohë të lexoni në këtë fillim viti.
Unë jam Ana, një 18 vjeçare që sapo ka nisur rrugëtimin e saj e rrethuar nga plot dëshira, ëndrra dhe pasione. Dhe një prej tyre vazhdon të mbetet shkrimi dhe blog-u im.

 

‘Life with Ana’ blog lindi në shkurt 2015. Në fillim ishte thjesht një mënyrë për t’u shprehur dhe për të ndarë me të tjerët gjërat që më pëlqenin. Dhe ndërsa kohët kalonin, ai mori formën që ka sot, plot me shkrime që burojnë nga thellësia e zemrës dhe mbërrijnë tek e juaja.

 

Të hapësh një blog është shumë e thjeshtë, por ta mbash gjallë dhe ta rrisësh atë kërkon përkushtim edhe kohë. Pikërisht dëshira për shkrimin dhe fotografinë e bëri më të lehtë që të kisha gjuhën e duhur për të komunikuar me ata që e lexonin dhe të përcillja emocionin e mesazhin e duhur në çdo shkrim.
Duke kombinuar rrjetet sociale me blog-un, kam arritur të krijoj atë familjen time të vogël prej lexuesish, të cilët me mendimet e tyre të sinqerta dhe mbështetjen, janë pjesa më e bukur e asaj që bëj.
Çdo gjë që ndërmerret ka një qëllim. Dhe ndonëse në fillim nuk e kisha të qartë se çfarë doja të arrija, tashmë e di se qëllimi im, pra i blog-ut tim është të jem afër me njerëzit, për ato gjëra që rrallë fliten, por shpesh ndihen. Dhe mbi të gjitha për t’i bërë ata të ndihen mirë.

 

Një ndër arritjet më të mëdha ka qenë edhe shkrimi i një libri online “Një copëz festë”.

Një copëz festë është një libër i shkurtër në formë “guide” për kohërat e festave. Çdo gjë që ju duhet duke filluar nga mënyrat e zbukurimit, ide dhuratash, filma, veshje etj. Gjithashtu midis guidës së thjeshtë ka dhe pak shkrime mbi ato çka kanë më shumë rëndësi në jetë. Por për më shumë ju ftoj ta zbuloni vetë në blog.

Për këtë vit, shumë gjëra të reja, artikuj të rinj na presin me një rikonceptim i blogut. Jo vetëm me shkrime romantike, por edhe me shkrime që kanë të bëjnë me dashurinë për veten, përmirësimin tonë apo këshilla për problemet që mund të hasim. Është koha që ta rikthejmë vëmendjen tek vetja jonë.

Dhe së fundmi, duke qenë se 2018 erdhi, cilat janë disa ndryshime që mund të bëni këtë vit?

1. Kujdesuni për veten. Filloni të ushqeheni shëndetshëm dhe të mos lini pas dore aktivitetin fizik. Të dukeni mirë do t’ju bëjë edhe të ndiheni mirë.
2. Kushtojini më shumë vëmendje njerëzve tuaj të dashur.
3. Njihni njerëz të rinj. Çdo njeri ka diçka për t’ju ofruar dhe mësuar.
4. Hiqni dorë nga ato “zakonet e këqija”, duhani, alkoli etj. Ose të paktën përpiquni t’i pakësoni.
5. Zhvendoseni fokusin në jetën reale dhe shkëputuni sado pak nga rrjetet sociale.
6. Kapni çdo mundësi që ju jepet dhe realizoni çdo dëshirë që keni.

 

Dhe ndërkohë, unë ju uroj një vit sa më të lumtur!
Shumë dashuri,
Ana.

 

Mos i humbisni shkrimet e Anës në blogun e saj: Life with Ana
Ndiqeni edhe në Instagram: ana_limani