“Rea’s blog”. Frymëzohuni nga Rea dhe pasioni i saj për modën

rea

Rea është gjimnazistja frymëzuese që na tregon se si në moshë mjaft të re, me pasionin dhe vullnetin e saj, ja doli të ketë një account në Youtube dhe ndan me ndjekësit e shumtë stilin dhe karakterin e saj unik.

 

Padyshim, ky artikull do jetë frymëzues për të gjitha vajzat e moshës së Reas.

Nëse je në një qytet të madh, me turma njerëzish, do më vësh re lehtë, ndoshta sepse kalendari im i modës do të jetë tek vitet ‘90. Unë jam Rea Ahmetbeja, akoma një gjimnaziste që po krijon ditarin e modës së vet. Kopertina e ditarit tim të modës nis me dashurinë e madhe që çdo vajzë duhet të ketë për veten e saj. Të biesh në dashuri çdo herë që i vesh një palë xhinse, të biesh vërtet në dashuri me to si herën e parë që i bleve.

Më ndodh shpesh kur jam në dhomën e provës duke provuar një fustan të mrekullueshëm dhe e ndjej që ai është i duhuri për mua, nis të këndoj… Këndoj vërtet ndonjë strofë të vogël kënge. Kjo është siç thuhet ‘dashuri e vërtetë’! Ose kur të janë fiksuar një palë këpucë tek ZARA dhe të thonë: – numri 38 nuk gjendet. Këtë mund ta quaj me gjithë kuptimin e fjalës ‘zhgënjim total’.

Mbaj mend që kur isha në klasë të shtatë, mami më bleu një palë xhinse. Dhe rastësisht shoqja ime kishte të njëjtat. Më kujtohet se sa kam qarë atë natë. Akoma më shumë kur mami më bërtiti sepse unë kisha bërë një të pabërë. I kisha hedhur xhinseve të reja ACE. Por nuk mund të them dot që ishte një dështim, sepse të gjithë më pyetën se ku i kisha blerë dhe të gjitha vajzat i donin ato.

Sot zgjohem si një vajzë që e ka krijuar vetë stilin e saj. Moda gjithmonë më ka diktuar mënyrën se si ta shoh jetën. Gjithashtu më ka ndihmuar të ndryshoj gjendjen shpirtërore. Mund të kaloj një ditë të mërzitshme, por këpucët e duhura mund ta ndryshojnë këtë. Dhe kjo është vërtet magjike.

Ishte data 10 Janar 2017 pikërisht kur lindi Rea’s blog.

Unë e hapa kanalin tim në youtube duke hedhur videon ‘Si të vishemi në shkollë’. Më kujtohet që gjatë ditëve të ftohta të janarit nuk ishte njeri me mua për të xhiruar dhe kam marrë përsipër të beja videon në pasqyrën e dhomës time. E postova pikërisht atë ditë, isha shumë e lumtur që ëndrra ime po bëhej realitet. Jam e sigurt që 100 views mund ti kem bërë vetëm unë duke klikuar ‘replay’. Por sot është akoma më emocionuese që videoja ime e parë ka më shumë klikime, rreth 20k . Jam me të vërtetë e lumtur për gjithçka që kam arritur falë dëshirës time të madhe.

 

Unë e dua Rea’s blog-un, përpiqem që të bëj më të mirën për videon e radhës. Gjithçka është e mirë kur ne i duam gjërat që bëjmë.

Rea na jep disa këshilla të lezetshme plot frymëzim:

  1. Duhet ta keni vetë në dorë stilin tuaj. Vishuni për veten, jo për të dashurin, miqtë apo prindërit.
  2. Besimi në vetvete është më joshës se çdo gjë që mund të vishni.
  3. Luani sa më shumë me ngjyrat.
  4. Eksperimento dhe guxo në modë.
  5. Duhet të jeni krijues në gjithçka, moda është formulë të cilën e krijon ti.
  6. Vendos gjithmonë aksesorë, qoftë edhe të thjeshtë.
  7. Zgjidh veshjen që përputhet me natyrën tënde.
  8. Kur të dalësh nga shtëpia duhet të krenohesh e të thuash: ‘E marrtë dreqi, sa bukur dukem!’

Për më tepër ndiqni Rean në:

Youtube – “Rea’s blog” https://www.youtube.com/channel/UC-MlOXqNitKN8ZYHglBtHTw

Instagram – reas_blog

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *