Raffie Raff, një këngëtare shqiptare në Greqi!

këngëtare

Rafaela Haxhi ose siç njihet ndryshe me emrin e artit Raffie Raff, tashmë është një këngëtare në shtetin fqinj, Greqi.

Raffie Raff është një vajzë nga qyteti i Sarandës. Në moshën 8 vjeçare ka emigruar së bashku me familjen e saj në shtetin helen. Si u bë kënga pasioni i saj më i madh, rruga që ndoqi në jetë dhe përvojat që kaloi për të patur sukses, do t’i lexoni në rrëfimin e saj nostalgjik.

 

Pasioni im dhe studimet e mia nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Dega inxhinieri informatike është diçka që vendosa të merresha kur u rrita. Por kënga është pjesë e pandarë e jetës sime që kur unë mbaj mend ekzistencën time. Kam shumë kujtime të bukura nga vitet e fëmijërisë që kalova në Shqipëri. Në të gjitha pjesë bën kënga. Këndoja kudo dhe kurdo duke dashur gjithmonë të tërheq gjithnjë vëmendje. Dhe jo vetëm duke kënduar, por edhe duke i bërë njerëzit e mi të dashur gjithnjë për të qeshur me veprimet e mia prej çapkëneje.

 

Mbaj mend babanë tim i cili na inçizonte mua, motrën dhe vëllain tim duke kënduar dhe duke recituar. Besoj se aty ka filluar të bëhet më e fortë dëshira për të kënduar. Kam qenë e vogël kur familja ime vendosi të emigrojë në Greqi dhe mu desh një kohë e gjatë që të filloja të përshtatesha dhe të merresha sërish me këngën. Pasi vitet kalonin dhe tashmë gjuhën greke e kisha mësuar shumë mirë, fillova të këndoja në festat e ndryshme që organizonte shkolla.

Kur mbusha 18 vjeç përjetova përvojën e parë të inçizimit në një shtëpi diskografike.

Që nga ai moment mikrofoni ka qenë pjesë e pandarë e jetës time. Dhe një përvojë sillte një tjetër dhe kështu me rradhë. Pas përfundimit të studimeve, nisa të këndoja në skena të ndryshme live në Athinë. Skena është vendi ku unë ndjehem vetvetja dhe njeriu më i lumtur në botë. E di shumë mirë që të merresh me muzikë nuk është aspak e lehtë, por pasioni dhe dëshira e madhe që kam për këngën, më japin gjithmonë shpresë dhe ma bëjnë jetën më të bukur.

 

Raffie Raff në qershor të 2017 është bërë pjesë e këngës ‘No Puedo’ në bashkëpunim me Tosin Martyns. Një këngë shumë ritmike dhe verore me muzikë të producentit Rocfellaz (Sotiris Lepetzidis).

E gjeni në youtube:
Rocfellaz & Goodfella feat. Raffie Raff & Tosin Martyns – No Puedo – Official Music Video

 

Tashmë, Raffie Raff pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi diskografike, duke inçizuar demo dhe duke shkruajtur këngë të ndryshme. Stili që i pëlqen më shumë është muzika RNB, por e dashuron shumë dhe muzikën JAZZ, POP dhe RAP. Është duke përgatitur disa projekte për të ardhmen, të cilat nuk do vonojnë ti paraqesë për publikun.

 

Siç do ta kuptoni edhe vetë, ajo punon në tre gjuhë të ndryshme shqip, greqisht dhe anglisht. Madje duke e pyetur se në cilën gjuhë i pëlqen më shumë të këndojë, thotë pa u menduar fare që i pëlqen në gjuhën shqipe. Gjuhën e vendit ku ka lindur dhe ka mall e nostalgji.

 

Raffie Raff veçon jo vetëm për stilin e saj të kënduarit, por edhe në të veshur. Është një personalitet të cilin nuk do e harroni lehtë. Ashtu siç të bën për vete me çiltërsinë dhe humorin e saj, të tërheq edhe më shumë serioziteti dhe përkushtimi i saj për muzikën. Mezi presim të dëgjojmë projektet e reja nga kjo këngëtare kaq e veçantë dhe stafi i hinka.al i uron suksese të mëtejshme.

Iva Dhami

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *