Një kokërr e vogël…shumë mundësi! E kemi fjalën për gatime ;)

Një kokërr e vogël…shumë mundësi

Një kokërr e vogël shumë mundësi. Po shumë kokrra të vogla imagjinoni dot se sa shumë mundësi të pafundme? Nuk e di nëse po më kuptoni, por unë e kam fjalën për orizin, bajamen, arrat, stikat, kasion, pekanin, lajthinë dhe kikirikun. Secila nga kokrrat e lartpërmendura është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të shijes. Janë plotësuese në shijen e shumë recetave.

Mbi tavolinën e punë më pëlqen të mbaj vazo të mbushura me kokrrat e vogla. Shpesh herë luaj dhe humbas në mendimet e shumta plot dëshirë për të përgatitur receta të reja me to. E gjersa ato lëvizin nëpër duart e mia e në fund bien mbi tavolinë për të lëshuar një zhurmë që shënon fillimin e recetës së re. Një recetë e re, një shije më shumë në historinë e kujtimeve të cilat i shoqërojmë me ushqimin që nuk është as më pak e as më tepër se sa një detaj lumturie në rutinën tonë ditore.

Rutina ditore nuk fillon shpesh herë pa qumësht. Nga e hëna në të djelë e nga e djela në të hënë, qumështi mund të jetë me shije të ndryshme vetëm me dy hapa. Qumështi i përftuar nga kokrrat tona plotë shije bëhet aq shpejtë. Sa hap e mbyll sytë ju keni përpara syve një gotë me shije.

Jeni kurioz për recetën? Mos u lodhni për të kërkuar recetën sa andej këndej sepse e keni të shkruar më poshtë.

  1. Le të fillojmë me orizin, të cilin e ziejmë më parë dhe më pas e vendosim në një blender së bashku me ujin …dhe ja qumështi i orizit është gati.
  2. Bajamet i vendosim për disa minuta në ujë të nxehtë që t’ju heqim lehtë lëkurat e tyre më pas i kalojmë së bashku me ujin në blender që të pëgatisim qumështin.
  3. Njësoj si për bajamen veprojmë edhe për lajthin dhe pistakion. Ndërsa për kikirikun, arrën, pekanin dhe kasion veprojmë duke i vendosor direkt me ujin në blender.
  4. Mos harroni që ta kulloni me napë ose me nje sitë qumështinë pasi e keni përgatitur. Pasi keni përftuar bazën mund të luani me shijet sipas dëshirës.
  5. Qumështit të bajames i shtojmë mjaltë, vanilje ose kanellë. Shije që i shtojmë edhe në qumështin e arrave apo të lajthisë, pistakios apo kasios.
  6. Për një shije më të veçantë qumështit të bajames i shtojmë tumeric, ndërsa atij të lajthisë i hedhim kakao.
  7. Qumështit të pekan i shtojmë mjaltë, dhe sipas preferencës edhe arrë moskat. Mos harroni që të gjithë këtyre llojeve të qumështit ti shtoni pakëz fare krip.

Qumështin që keni përftuar mund ta përdorni si ingredient në receta të ndryshme. Atë të orizit mund ta përdorni në ëmbëlsira me krem, supra, salca, si dhe në gatime të ndryshme aziatike. Qumështin e kasius mund ta përdorni për puren e patateve, kafen, muffins, pancakes, si dhe për të përgatitur tërshërën. Ndërsa qumështin e bajameve e përdorim në smoothies, akullore shtëpie, tostin francez, kremin e spinaqit dhe salcat për makaronat.

Nëse dëshironi që të përgatisni vetë gjalpin e bajames, pistakios, arrave, lajthive apo kikirikave mos hezitoni sepse shumë e thjeshtë. Për të gjitha llojet veprohet njësoj:

  • Vendosni në blender për rreth 20 -25 minuta.
  • Pasi të shikoni që në enë ka një masë kremoze mund të filloni të mendoni për shijet plotësuese.
  • Copëzat e çokollatës, lëkura limoni, lime e portokall, kanella, karafili, vanilja, xhinxher apo dhe speci djegës mund të jenë shijet me të cilat ju mund të plotësoni aromat e gjalpit që keni përgatitur.
  • Me gjalpin mund të përgatisni biskota apo të lyeni bukën dhe frutat për një mbasdite në shoqërinë e librit apo miqve..
Nga Aristela Anagnosti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *