“Ndoqa ëndrrat me nji lule diellit “

lule diellit

 

Ndoqa ëndrrat me nji lule diellit

 

Sa e vështirë është të ndjekësh ëndrrat në një shoqëri që të stimulon të ndjekësh paranë. Atë që duhet dhe kur ajo nuk është e duhura?

 

Përshëndetje lexues të Hinka-s. (:
Unë jam Kristiana, një klishe prej andrrash t’pabotume, e t’mbylluna n’sirtare prej 23 vitesh jete, thënë ndryshe vajza që qëndron pas blogut njilulediellit.com.

 

Po përtej prezantimeve klishe, më lejoni t’ju tregoj se çfarë është Nji lule diellit?

 

Nji lule diellit, është blogu im, që pas disa tentativash vendosa më në fund ta rihapja, pas një pushimi që zgjati më shumë nga ç’e kisha menduar unë. Është nji qoshe letrare pa korniza, po për këtë do ju flas pak më poshtë.

 

Them rihap pasi eksperienca ime me të paturin një blog i cili shihte kah letërsia nis rreth tre vite më parë, kur koncepti dhe ideja e blogut, ishte shumë i pazhvilluar dhe postimet ishin jo fort të rregullta, jo në cilësinë që një blog i mirë duhet të ketë për të qenë i suksesshëm. Kështu nisur nga disa probleme teknike që pata në atë kohë, dhe nga impenjimet e mia universitare, vendosa t’i jepja vetes pak pushim.

 

 

Sa kohë dhe ëndrra u deshën që të mbërrija tek Nji lule diellit?

 

Shumë, definitivisht, shumë!
Rruga për të mbërritur tek blogu ku shkruaj sot, fillon para shtatë vitesh. Ndodhi që ndërsa lexoja postime në facebook, më lindi ideja e çuditshme të eksperimentoja me të shkruarin. Të mos isha vetëm një lexuese, por pasionin për librat të mundohesha ta hidhja diku, e mbase dilte diçka e mirë. Dhe kështu bëra.

 

Shkrimi i parë ishte i mirë dhe isha e habitur nga grumbujt e fjalëve që deri në atë kohë i kisha mbajtur vetëm për vete. Me ditët që ecnin pastaj, nisa të eksperimentoja, të shkruaja shumë më shumë, derisa një ditë, vendosa të hap një faqe në facebook. Ku përtej anonimatit që ajo platformë më ofronte, të mundesha të ndaja veten dhe shkrimet e mia, me persona të tjerë.
Dhe asnjëherë nuk ka qenë e lehtë!

 

Faqja e parë Për Ty, ishte ajo që nisi si një dedikim që ua bën rrahjeve të para të zemrës në adoleshencë, e që vazhdoi pastaj si impenjim me kohë të plotë. Ku e trembur nga paragjykimet e një shoqërie si kjo jona që dashurinë e quan si turp. Nuk guxova asnjëherë të tregoja se ajo ishte imja. Pastaj pas dy vitesh punë, vendosa ta mbyllja dhe të hapja një të re. Pjesë e imja, atë që zotëroj edhe sot, e që u bë dhe ura ime lidhëse me idenë e të paturit një blog.

 

Kështu dy vite më parë, bashkë me një mikun tim, menduam të eksperimentonim për të hapur një platformë online. Ku letërsia të monetizohej dhe unë të dilja nga qoshka ime e facebook-ut e t’i jepja ëndrrave dhe letërsisë, të tjera trajta. Nuk po jua shpjegoj gjithë rrugën që më është dashur për të mbërritur këtu ku jam sot. Pas blogjesh që i hapëm e i mbyllëm, më në fund vendosa të ngulja rrënjët diku. Për të nisur rrugëtimin e letërsisë që unë doja të ndaja me të tjerët.

 

Nji lule diellit, janë gjithë fjalët ku kam fshehur sa herë diellin e fjalëve që donin të dilnin e unë fshihesha pas frikës të së pakuptuarit!

Përse një qoshe letrare pa korniza?

Kjo frazë përfaqëson më së miri qëllimin e Nji lule diellit.
Duke ardhur nga një eksperiencë shtatë vjeçare me të shkruarin në platforma online. Nuk doja të hapja vetëm një blog ku të mund të shpërndaja shkrimet e mia dhe aq. Tashmë një eksperiment të tillë, e kisha konsumuar në facebook. Qëllimi ishte të vendosja letërsinë në një fokus. Ku ajo qëndron përtej kornizave të mërzitshme e që ndonjëherë e largojnë lexuesin e ri duke e drejtuar atë kah rrjeteve sociale.

 

Nji lule diellt vjen si një platformë, ku Letërsia shfaqet paksa më argëtuese më gjithëpërfshirëse. Më reflektuese, përmes artikujve të ndryshëm letrarë a reçensioneve të librave. Ku secili zgjedh të lexojë letërsinë që më shumë i pëlqën, e të hedhë ura lidhëse me librin.

Përse Nji lule diellit?

Kur vendosa të rikrijoja blogun, një qoshe letrare përtej kornizave, e doja si diçka që të ishte krejt personale e gjithëpërfshirëse në të njejtën kohë. Kështu vendosa të dal nga klisheja e emër mbiemër . com, dhe vendosa Nji lule diellit.
Lulet e diellit janë lule plot dritë, që përcjellin kaq jetë dhe gjallëri, dhe nuk mund të zgjidhja diçka tjetër për të përshkruar më së miri veten.
Përse nji dhe jo një?
Sepse mendoj se fjalët në dialekt, tingëllojnë më bukur, dhe dashurinë time për të folurën në gegnisht. Doja patjetër ta integroja në këtë qoshkë letërsie.

Dhe sa ëndrra duhet të konsumosh për të ndjekur një me lule dielli?

Asnjë. Unë nuk kam konusmuar asnjë ëndërr, vetëm kohë. I kam ndjekur të gjitha nji nga nji, edhe nësë ndjekja e tyre më ka bërë të dështoja. Unë ende nuk jam në pikën ku dua të jem. Ende nuk po bëj gjërat që unë dua të bëj.
Nji lule diellit është akoma në hapat e nji fëmije që sapo ka filluar të ecë. Po unë nuk dua të lejoj që frika për të dështuar, të më lerë pa provuar.

Ju ftoj të bëheni pjesë e blogut e të zbuloni letërsinë që më shumë ju pëlqen. Përmes shkrimeve e relfektimeve letrare.

Gjithashtu mund të më ndiqni në Instagram @kristianamihani dhe facebook @Pjesë e imja.

Lexim të këndshëm. (:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *