Handmade crafts, pasioni më i madh i Xhoit

handmade

Ky artikull vjen me dëshirën e madhe tonën për të promovuar dhe vlerësuar Xhoin, një vajzë me shpirt artistik dhe e rrethuar nga pasioni për të realizuar punime handmade. Të gjithë ju që ju pëlqejnë gjërat e personalizuara handmade dhe doni të jeni ndryshe nga të tjerët, ju sugjerojmë ta lexoni historinë që Xhoi ka vendosur ta ndajë me ne.

Përshëndetje ndjekës të “Hinka”!

Unë quhem Xhoina Salaj dhe jam 19 vjeç. Jam në prag të përfundimit të maturës dhe dëshiroj të studioj në Fakultetin e Gazetarisë. Pasioni për këte degë lidhet me faktin e të shkruarit dhe të folurit. Të cilat më kanë shoqëruar kudo, duke mos më lënë asnjëherë në baltë. Por gazetaria nuk është pasioni im i vetëm. Pavarësisht angazhimeve të mia, si me magji e gjej gjithmonë kohën e lirë për t’u marrë me shumëllojshmëri idesh kreative. Më pëlqen të qëndis! Po vërtetë është e kohës së vjetër, por më besoni është diçka e mrekullueshme.

Më pëlqen që përveç dhuratave që miqtë apo njerëzit e mi të dashur marrin në raste festash apo ditëlindje, t’u dhuroj atyre edhe një kartolinë handmade të mbushur plot me detaje dhe kujtime.

Apo një kavanoz të mbushur me arsye pse i dua. Tekste këngësh që përshkruajnë dashurinë time ndaj tyre. Një kornizë mbi të cilën vizatohet bukur një shprehje motivuese, pozitive për ditët e tyre melankolike. Më pëlqen t’i bëj të lumtur ata me gjëra të vogla. T’u tregoj në çdo kohë rëndësinë që ata mbartin!

 

Po ju njoh më mirë me botën time të vogël, por plot me ngjyra. Të gjithëve na ka ndodhur të marrosemi pas një t-shirt në vitrinë për një detaj apo një shprehje të veçante që ka. Mua për vete shumë herë. Por tani nuk bëj gjë tjetër veçse marr një bluzë të timen, e vendos në gjergjef (mjet i cili ndihmon në proçesin e qëndisjes). Vizatoj detajin me të cilin kam rënë në dashuri dhe e qëndis.  Kështu arrij në konkluzionin se bluza ime është 100 herë më e bukur se ajo e shtrenjta në dyqan. Më poshtë janë vetëm disa prej punimeve të mia, por ato më pikantet.

 

Punimet në dru janë gjithashtu një pasion i imi.

Herën e parë që u hasa me artin e quajtur String art, kureshtja për ta provuar nuk më la të qetë. Materialet e domosdoshme kushtojnë shumë pak dhe rezultati është i mrekullueshëm. Në foton më poshtë janë disa prej dhuratave që unë kam krijuar, të cilat zbukurojnë shtëpinë time.

 

Për ditëlindje të veçanta idetë janë të pafundme, mjafton vetëm pak durim i miksuar me dashurinë ndaj atij personi. Unë kam krijuar një tortë prej kartoni e cila të jep përshtypjen e një torte të vërtetë dhe të cilën mund ta mbushësh me karamele të ndryshme. Kutitë në formë zemre të mbushura me lule dhe çokollata janë mjaft në modë. Të gjithë mund ta bëjmë një të tillë nëse dëshirojmë dhe ta dekorojmë sipas dëshirës. Kartolinat 3D ose ato me detaje të janë të preferuarat e mia.

 

 

Epo këto janë pasionet e mia, to do small things with great love!

Mund t’iu duken fjalë klishe por kur njeriu merret me diçka, arrin të njohë aftësitë dhe defektet e veta. Zbulon ato çfarë i pëlqejnë dhe jo. Mua më pëlqen të qëndroj me njerëz të cilët merren me diçka, (nuk e kam fjalën që krijojnë ato që krijoj unë). Por njerëz që e mbushin kohën e tyre me energji pozitive në mënyra të ndryshme (dikush në makeup, dikush në pikturë). Dua të them nuk e kalojnë kohën duke folur për të tjerët, por duke kënaqur shpirtin e tyre dhe duke mbushur plot dashuri zemrën e të tjerëve, me ato që ata dinë të bëjnë më mirë.

 

Për të parë më shumë rreth atyre që unë krijoj mund të më ndiqni në Instagram: xhoinaaa

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *